A mundet Osmani ta mandatojë Kurtin, dhe kush duhet të zgjidhet i pari?

LAJME

Pas rezultatit të 14 shkurtit, një prej temave që po diskutohet më së shumti është ajo se si do të procedohet me krijimin e institucioneve të reja. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk mund të mandatojë kandidatin për kryeministër dhe sipas tij duhet fillimisht të zgjidhet kryekuvendari i ri, presidenti e më pas Qeveria.

Por njëjtë nuk mendon Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Kushtetueses. Ajo thekson se udhëheqja aktuale e Kuvendit s’mund të marrë kurrfar vendimi, derisa sqaron se në momentin që zgjidhet Kuvendi i ri, kryetari i Kuvendit automatikisht bëhet U.D i presidentit dhe mund të procedojë me mandatimin e kandidatit për kryeministër, formulë kjo për të cilën Hasani thotë se është gabim.

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Gjyljeta Mushkolaj, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës i cili do të ushtrojë edhe detyrën e presidentit përkohësisht, mund të procedojë me mandatimin e kandidatit për kryeministër.

Gjyljeta Mushkolaj tha për Gazetën Express se asnjë veprim nuk duhet të bëhet pa u konstituuar Kuvendi dhe pasi të konstituuohet Kuvendi, kryetari i ri e mandaton kryeministrin.

“Kuvendi i ri nuk mund të veprojë pa u konstituuar. Pra, zgjedhet kryetari, kryesia. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.D më pastaj zgjedhet qeveria. Zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet brenda afatit të paraparë me Kushtetutë. Pra asnjë veprim nuk mund të bëhet pa u konstituuar Kuvendi. Kryetari i ri i Kuvendit bëhet U.d i Presidentit. U.D së presidentit mandaton Kryeministrin. Zgjedhja e Presidentit bëhet pastaj”, ka thënë Mushkolaj.