Abdixhiku, Kurtit: S’mund të thotë se dialogu është prioritet i pestë apo i gjashtë – do jetë në tavolinë përballë Vuçiqit

LAJME

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se si parti opozitare do t’i

kërkojnë Kryeministrit Albin Kurti, ta ushtrojë rolin e tij kushtetues në raport me çështjen e dialogut me Serbinë.

Sipas tij, negociatat Kosovë-Serbi, nuk kanë alternativë dhe duhet të jetë patjetër prioritet ndryshe nga siç thoshte vet Kryeministri Albin Kurti, njofton Klan Kosova.

”Unë s’mund të flas në emër të Administratës Amerikane”.

”Por ajo çfarë mund të flas është në emër të interesave të territorit të Kosovës. E di që Administrata Amerikane nuk detyron zgjidhje që nuk janë në pajtim të plotë me vullnetin politik në vend”.

”Si parti opozitare do t’i kërkojmë Kryeministrit që të ushtrojë rolin e tij kushtetues”.

”E ka obligim kushtetues, nuk ka zgjidhje, nuk ka alternativë. Nuk mund të thotë Kryeministri [Albin Kurti] ”është prioritet i imi i pestë e i gjashtë dialogu”. Prioritet i pari doli të jetë, pra para pandemisë”.

”Nuk jemi në politikë për aplauz. Për aplauz e kemi cirkun. Politikën e kemi me marrë vendime të vështira për interes të vendit”.

”Nëse në fund ka një zgjidhje të mirë për Kosovën, jam i bindur që çdo parti politike shqiptare do ta mbështes. Ne jemi brenda dialogut në Parlament, aty ku na ka vendosur qytetari i Kosovës, e ku e kemi vendin”.

”Ai [Albin Kurti] do të jetë në tavolinën negociuese me [Aleksandar] Vuçiqin, dhe ta kuptojë e t’i ushtrojë e mbrojë interesat e Kosovës, në atë tavolinë përballë një kundërshtari të pavarësisë së Kosovës dhe jo vetëm”.

Ndërkaq lidhur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015, Abdixhiku u shpreh në Rubikon me Adriatik Kelmendin se secila marrëveshje që prish rendin kushtetues të Kosovës, nuk është e mbështetur nga ai, njofton Klan Kosova.

”Sa i përket marrëveshjes së 2015-ës. Cilido kryeministër i ardhshëm i Kosovës, zotri Kurti tani, një tjetër në të ardhmen, qofsha dhe unë, nëse sjell në Kosovë një marrëveshje politike që thotë se e njëjta duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, është e pranueshme”.

”Nëse ka një kryeministër që e detyron palën tjetër serbe, që të nënshkruajë që ajo marrëveshje të interpretohet prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ju garantoj që është marrëveshje e mirë”.

”Asnjë marrëveshje që prish rendin kushtetues të Kosovës, nuk është e mbështetur prej meje. Çdo njeri e thotë këtë, nuk besoj se ka njeri që thotë se duhet të ketë ndryshime të rendit kushtetues”.

”Duhet të punojmë në atë drejtim që të mbrojmë këtë rend dhe frymë kushtetuese. S’duhet lejuar zhbërjen e Kosovës si shtet”.