Ambasada amerikane në Serbi përsërit qëndrimet e Bidenit: Ta njihni Kosovën

LAJME

Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në SHBA, James Hagengruber, ka thënë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë kërkesë e ish-presidentit Donald Trump, si dhe vazhdon të jetë kërkesë e presidentit aktual, Joe Biden.

“Ish Presidenti Trump e bëri këtë politikë shumë të qartë. Për shembull, në vitin 2019 ai i shkroi Presidentit Aleksandar Vuqic për “mbështetjen e palëkundur” të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal, dhe veçanërisht angazhimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë”, tha Hagengruber për ‘Tanjug’.

Presidenti aktual i SHBA Biden iu drejtua Vuçiç me rastin e Ditës së shtetit serb me anë të një letre, në të cilën thekson njohjen e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës.

Hagengruber thekson se “u takon të dy palëve të arrijnë një marrëveshje që të dyja mund ta mbështesin” dhe shpreh bindjen e tij se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element qendror i normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve.

“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugë drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, tha ai.

Ai kujtoi fjalët e Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve, si dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”.