Avdullah Hoti merr përgjegjësi për humbjen, por nuk uron VV-në

LAJME

Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK ka mbajtur në një konferencë për media pasi që partia e tij doli e treta në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoti ka thënë se LDK por edhe ai personalisht ka pritur rezultate tjera, nga ato që kanë dalë.

Hoti ka thënë se e merr përgjegjësinë për rezultatin e LDK-së, por nuk e ka uruar VV-në për fitoren.

Hoti tha se pret që KQZ sa më parë të mbyll procesin e numërimit të votave që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai tha se LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Fjalimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të dashur votues të LDK-së dhe struktura të LDK-së,

Sipas vlerësimeve preliminare, Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur tanimë në procese zgjedhore, që është përmbushje e standardeve evropiane.

Unë ju falënderoj për besimin e dhënë. Por, rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kam pritur.

Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi.

Pres që KQZ-ja të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit.

Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që më është dhënë nga LDK-ja për t’u shërbyer qytetarëve dhe do të mbetem mbrojtës i pakompromis i demokracisë dhe orientimit pro-perëndimor të Republikës se Kosovës.

LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Qeveria në detyrë do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës.

I juaji,

Avdullah Hoti