Dallime mes partive për njësitë zgjedhore! Maqedonaset janë për një njësi, ato shqiptare të ndara

LAJME

Edhe pse që në 2016 Lidhja Socialdemokrate ka premtuar që Maqedonia e Veriut të bëhet me një njësi zgjedhore, kryeministri Zoran Zaev e pranon se partia e tij dhe partitë e tjera më të mëdha nuk janë aq pro kësaj ideje.

“Për disa çështje, punët nuk varen vetëm nga ne. Përcaktimi ynë është një njësi zgjedhore. Partitë më të vogla janë “për”, partitë e tjera më të mëdha, si LSDM-ja, nuk janë edhe aq “pro”, ndërsa ligjin duhet ta sjellim me konsensus. Nëse jemi të drejtë për të marrë vendim me vote , ne do të votojmë në pajtim me përcaktimin tonë”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Edhe rivalët e socialdemokratësve, opozitarja VMRO-DPMNE është pro një njësie zgjedhore, por kanë edhe një kërkesë shtesë për zgjedhjet lokale.

“Gjërat bazë që janë në tryezë bisedimesh kuptohet është një njësi zgjedhore, lista të hapura por edhe propozimi ynë është që të ketë një rreth në zgjedhjet lokale të këtij viti si dhe në të ardhmen”, pohoi Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe opozitarja e “E majta” është pro një njësie zgjedhore, për shkak se siç thotë kryetari i saj Dimitar Apasiev, kjo do të jepte pasqyrë më reale të mbështetjes së votuesve.

Nga ana tjetër partitë shqiptare kanë qëndrime të ndryshme. Deputetja Vjollca Ademi e Bashkimit Demokratik për Integrim thotë një njësi zgjedhore do të ishte në dëm të politikës shqiptare.

“Qëndrimi ynë është që duhet të shkohet sipas sistemit proporcional me 6 njësi zgjedhore, pasi që nëse shkohet me një njësi zgjedhore nuk do të ishte e favorshme për faktorin politik shqiptar në vend. (Ngjitje) Sipas analizave që ka bërë BDI, do të kishim më pak deputetë shqiptarë në Kuvendin e RMV-së”, deklaroi Vjollca Ademi, deputet e BDI-së.

BDI është pro listave të hapura për zgjedhjet komunale, ndërsa për ato parlamentare Ademi thotë se është ende herët të flitet.

Opozita shqiptare gjithsesi që është për lista të hapura thotë koordinatori i grupit parlamentar i Aleanca për shqiptarët-Alternativa Skender Rexhepi. Sa i përket ndarjes së njësive zgjedhore, koalicioni ende nuk ka harmonizuar qëndrimin.

“Pasi që ka divergjenca apo mendime ndyshe rreth asaj nëse duhet të jetë 1, 3 apo 8, por megjithatë besoj se në kuadër të takimit që kemi si koalicion do ta definojmë një gjë të tillë,. Ajo që është e rëndësishme është lista e hapur zgjedhore”, pohoi Skender Rexhepi, deputet nga koalicioni ASH-AAA.

Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, që në koalicion është me LSDM-në, thotë se mbeten në idenë për 3 njësi zgjedhore. Kjo ndarje shumë lehtë do të sillte kalimin nga 6 në 3 zona zgjedhore dhe do të reflektonte ndarjen politike dhe etnike, duke mos cenuar interesat e ndonjë subjekti a etnie.

“Tani çështjet mund të bisedohen, asgjë nuk është e betonuar dhe që nuk mund të diskutohen. Shumë lehtë është që zonën 5 dhe 6 përafërsisht të krijohet një zonë zgjedhore. 1 dhe 2-shi të krijohet një zonë, dhe 3-shi e 4-shi një zonë, por kjo nuk nënkupton se mënyra administrative duhet në këtë formë, mund të bëhen edhe riparime të caktuara”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Edhe Lëvizja Besa është pro listave të hapura për këshilltarët komunalë, e ky model më pas mund të zbatohet edhe për zgjedhjet parlamentare.

Këto ditë partitë kanë nisur takimet mes grupeve të punës ku po diskutojnë për çështjen e njësive zgjedhore por edhe atë të listave të hapura, të cilat pritet të bëhen realitet në zgjedhjet lokale të tetorit. Temë diskutimi është edhe puna e terminaleve për shenjat e gishtërinjve.