Dega kryesore e LDK-së kërkon dorëheqjen e kryetarit të saj, Ismet Beqiri

LAJME

Anëtarësia e Kryesisë dhe kryetarët e Nëndegëve të Degës së Parë në Kodrën e Trimave në Prishtinë, kanë kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të kësaj dege, Ismet Beqirit, të cilin e konsiderojnë përgjegjësin kryesor të, siç e quajnë ata, “rezultatit negativ” në zgjedhjet e fundit parlamentare .

Kjo Degë, pas një mbledhjeje urgjente të mbajtur të hënën, një ditë pas numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare, me anë të një komunikate ka thënë se, Beqiri, sikurse në zgjedhjet parlamentare të 2019-ës, ashtu edhe në të 2021-ës, ka ndikuar në “rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë”.

“Për më tepër, ne vlerësojmë se, Kryetari Beqiri, është shkaktari kryesor i gjendjes së krijuar në Degën e I-rë në LDK në Kodrën e Trimave, pasi që sikurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, e poashtu edhe në këto të fundit të vitit 2021 ka ndikuar të kemi rezultatin më negativ që nga themelimi i partisë së krijuar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”, thuhet në thirrjen për dorëheqje.

Ata më tej thonë se Beqiri është “përgjegjës kryesor se në zgjedhje kemi hyrë të përqarë dhe pa një plan konkret për të mobilizuar elektoratin tonë, dhe si i tillë duhet të mbahet llogaridhënës para të gjithë anëtarësisë”.

Po ashtu kanë thënë se Beqiri ka dështuar të propozojë kandidatët për nënkryetar dhe sekretar të kësaj Dege.