Fitorja e VV-së e merituar, këto janë arsyet pse pësuan humbje LDK e PDK me 14 shkurt

LAJME

Qytetarët e Kosovës gjatë ditës së djeshme, me 14 shkurt, iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 48,17% apo 374 mijë e 913 vota nga qytetarët e Kosovës.

Krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019, ku LVV kishte marrë 26,27% apo 221 mijë e 001 vota, shihet se në zgjedhjet e këtij viti ka arritur ta përmbysë këtë rezultat. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndonëse doli e dyta si parti në nivel vendi krahasuar me përqindjen e votave që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, del se PDK ka pasur rënie të elektoratit.

Në këto zgjedhje sipas rezultatit të deritashëm PDK ka 17,35% apo 135 mijë e 009 vota, kurse në zgjedhjet e tetorit 2019, kishte arritur të marrë 21,23% apo 178 mijë e 637 vota duke u renditur si partia e tretë. Ajo çfarë të gjithë ka habitur në këto zgjedhje është rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rezultat, ku në zgjedhjet e mbajtura dje ky subjekt renditet i treti.

Në këto zgjedhje LDK deri tani ka 13,18 % apo 102 mijë e 616 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota Lidhur me këto rezultate, ngritjet dhe rëniet e tyre i kanë komentuar edhe disa analistë.

Zogaj: Rezultati i LVV-së ka qenë i pritur dhe është i merituar

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet ishin dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës, gjë që e dëshmuan se shteti i Kosovës meriton vëmendjen e BE-së.

Sipas tij, rezultati i LVV-së ka qenë i pritur dhe është i merituar sepse viteve të fundit ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe e ka plotësisht të merituar.

“Zgjedhjet ishin një dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës e cila edhe kësaj here mbajti zgjedhje të standardeve të plot kuptimta, të lira e demokratike, dhe kjo është fitore e bukur e shtetit të Kosovës, që me këto zgjedhje dëshmoi se e meriton vëmendjen e BE-së. Rezultati i Lëvizjes Vetëvendosjes ka qenë i pritshëm, sepse kjo parti viteve të fundit me përkushtim të jashtëzakonshëm ka punuar. Prandaj angazhimi vetëmohues ia solli edhe suksesin që pa asnjë dyshim, VV e ka plotësisht të merituar dhe duhet të urohet nga i gjithë spektri politik”, është shprehur ai.

Më tej ka theksuar se partitë e tjera, kësaj radhe u ndëshkuan me të drejtë sepse ka vite që sillen me megalomani. LDK-ja nuk mund të fitojë me duar në xhepa, ndërsa PDK-ja nga mungesa e dy liderëve.

“Ndryshe nga VV, dy partitë e tjera që e kanë konsideruar veten parti të mëdha, ka vite që sillen me megalomani, prandaj kësaj radhe u ndëshkuan me plotë të drejtë dhe rënien e kanë të merituara! LDK kësaj radhe e pa se me duar në xhepa nuk mund të fitohet! Ndërsa rënia e PDK-s mbi të gjitha ndodhi nga tronditja e brendshme partiake, që e ka krijuar mungesa e dy liderëve kryesorë, që kanë ndikuar shumë në luhatjen e elektoratit të kësaj partie”, ka deklaruar Zogaj.

Mehazi: Fitorja e LVV-së ka ardhur nga inatet politike të Agim Veliut dhe Isa Mustafës që kishin ndaj Kurtit

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi, ka thënë se fitorja e LVV-së ka ardhur nga inatet politike të Agim Veliut dhe Isa Mustafës që kishin ndaj Kurtit, me veprime që hidhëruan qytetarët e Kosovës. Sipas tij, për LDK-në më shumë kishte vlerë inati politik i Agim Veliut kundër Kurtit, se sa votuesit e LDK-së që donin koalicion me LVV-në.

“Më në fund ja, ju erdhi fundi mocionistëve Isa Mustafës e Agim Veliut kundër Kurtit nga qytetarët votues të Kosovës. Fitorja bindëse e Lëvizjes Vetëvendosje më shumë erdhi nga inatet politike të Agim Veliut e Isa Mustafës ndaj Kurtit, sa më shumë që kundërshtonin LVV-në, Kurti bëhej më i besueshëm e më i fortë para qytetarëve. Për LDK-në më shumë kishte vlerë inati politik i Agim Veliut kundër Kurtit sesa votuesit e LDK-së që dëshironin koalicion me LVV-në, veprimet e prapshta politike të LDK-së ndaj Kurtit jo që hidhëruan votuesit e vet por edhe tërë qytetarët e Kosovës për ta dënuar rëndë klikën e vjetēr të LDK-së në krye me Isën, Veliun, Selmanaj e Hazirin”, ka vlerësoi ai.

Më tej, Mehazi shtoi se LDK-ja u dobësua me largimin e Vjosës, nga Qeveria Hoti dhe nga mocioni kundër Kurtit, madje edhe me shkuarjen e Thaçit dhe Veselit duke e humbur edhe besueshmërinë e qytetarëve.

Ai ka shtuar se sa më shumë që kundërshtohej Albini nga LDK-ja dhe PDK-ja, aq më e besueshme bëhej ndaj qytetarëve, gjë e cila doli në pah duke e votuar atë.

“Pra, mocioni kundër qeverisë së Kurtit, largimi i Vjosa Osmanit, dhe qeveria e Hotit e dobësoi keq LDK-në sa që u bë fuqi e tretë politike mbas PDK-së, e cila parti me shkuarjen e Thaçit e Veselit humbi kredibilitetin e besueshmërisë së qytetarëve. LDK-ja e PDK-ja sa më shumë që kundërshtonin Albin Kurtin, LVV-ja aq më e besueshme bëhej ndaj qytetarëve, kjo besueshmëri e LVV-së doli sot në pah duke votuar fuqishëm Albin Kurtin që i dëshirojmë suksese të mëdha qeverisëse. Populli duke votuar Albin Kurtin eliminoi zhvatësit njëzetvjeçar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mehazi.