Grenell i reagon Ischingerit pasi i tha se i ka skaduar mandati

LAJME

Ish-emisari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka reaguar diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger, pasi ky i fundit i tha se i ka skaduar mandati dhe e këshilloi që Kosovën t’ia lë njerëzve të saji.

Në një postim në Twitter, Grenell e ka cilësuar reagimin e Ischinger si një përpjekje për të heshtur meqë është homoseksual.

Gjithashtu ish-emisari amerikan ka thënë se Ischinger ka bashkëpunuar me rusët dhe iranianët.

“Wolfgang, ju e siguroni jetesën tuaj duke thënë këshilluar për politikën e jashtme. Ju u keni dhënë edhe iranianëve dhe rusëve një platformë që nuk e meritojnë. Mos i heshtni homoseksualët për të marrë pjesë në atë që ju e bëni lirisht. Është homofobike. Jam gjithashtu i lumtur të krahasoj progresin tonë me tuajin çdo ditë!”, ka shkruar Grenell.

Kujtojmë se, ditë më parë Richard Grenell kishte akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se është anti amerikan.

Sipas tij, Kurti ka qenë kundër politikave të ShBA-së të disa prej ish-presidentëve.

Grenell kishte hedhur kritika të njëpasnjëshme ndaj liderit të VV-së, pasi ky i fundit kishte thënë se do të shqyrtojë vendimin për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe gjithashtu kishte thënë se do të votojë ‘pro’ për një referendum të mundshëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.