Haziri: LDK nuk është parti që shuhet, ka emra që mund të sjellin shpresë`

LAJME

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se nuk ka vendosur ende nëse do të kandidojë për postin e kryetarit të kësaj partie. Ai u shpreh se LDK-ja ka disa emra që janë profile që, sipas tij, mund të sjellin shpresë, dhe se partia e tij nuk do të shuhet ose mbyllet.

“Në zgjedhjet lokale ka me qenë një rezultat tjetër nëse LDK e kthen besimin dhe shpresën në Kuvendin e saj. Jam i bindur. Deri në zgjedhjet lokale kemi mu ulë prapë me bisedu. LDK nuk është parti që shuhet ose mbyllet. Le ta harrojnë që mund ta mbërrijnë këtë objektiv”.

“LDK është aset kombëtar i kësaj republike. Nuk do ta ketë fatin e partive që përmenden në Amerikë që janë shuar pas arritjeve kryesore që kanë pasur. LDK e ka kaluar krizën pas luftës dhe këtë krize pas zgjedhore do ta kalojë, se LDK do ta rikthejë besimin”.

“Kam pranuar thirrje që të pranojë postin e kryetarit, madje më thonë ‘mos lësho pe’. Deri në Kuvend është rruga ime politike. Përtej kësaj krejt varet prej kryetarit të ri të LDK-së”.

“Nuk e përjashtoj kandidimin tim, por se kush bëhet kryetar vendosë Kuvendi. Nuk kam vendosur ende a të kandidoj apo jo”.

“Deri tash përveç Antoni që është nominuar në debat televiziv, tjerët nuk kanë dhënë asnjë lloj konfirmimi, duke më përfshirë edhe mua. Si Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Arben Gashi, i shoh si kolegë të mirë, të jashtëzakonshëm, janë profile politike që mund t’i japin LDK-së shpresë”. Haziri foli edhe në lidhje me ata që e kanë lëshuar LDK-në ndër vite, duke thënë se detyra e parë që duhet të eliminohet brenda partisë është largimi i pakënaqësive të vogla që zakonisht ekzistojnë brenda partisë, e që çojnë në largime.

“Çdo copë të LDK-së sonte me mujt e kisha bërë bashkë. Deri më tash janë bërë 14 parti e grupe politike që kanë dal të pakënaqura nga LDK, e që është shumë për një subjekt politik, dhe duhet me vendosë një pikë kthesë që bashkimi me ideologji dhe largimi i pakënaqësive të vogla për emra e lista politike, inate në zgjedhje që zakonisht ekzistojnë në parti, është detyra e parë që duhet të eliminohet”.

“Duhet të ndalet ky lloj trendi dhe pakënaqësitë me i shfaqë brenda, votën me e dhënë brenda. Mësimet e nxjerra duhet t’i marrim parasysh. Nuk ka askush me bë mrekulli”.

“Raporti im me Vjosa Osmanin ka qenë gjithmonë korrekt e njerëzor, edhe kur kemi pasur dallime kemi biseduar për dallime. Më ka ardhur keq dhe jam munduar ta preventoj daljen me iniciativë, por s’kam pasur fuqi më shumë me bë. S’kam mundur se nuk kam mundur të garantoj asgjë. Ka qenë e pritur që do të shkojë me Vetëvendosjen”.

“LDK duhet me u marr me vetveten. Nuk kam hatërmbetje me zonjën Osmani. Ajo është fituese më shumë morale e këtyre zgjedhjeve. Me numra i ka fituar krejt VV-në. Nëse neve na ka shkaktuar dhimbje rezultati zgjedhor, ajo duhet të dijë që kjo frymë apo urë i atribuohet Vjosës për sukses”, u shpreh Haziri.