“Kjo ishte lëvizja e zgjuar nga Albin Kurti”/ Flet profesori: Ja çka do të ndryshojë në marrëveshjen e Uashingtonit

LAJME

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett derisa ishte duke folur për disa prej nismave në marrëveshjen e Uashingtonit, ai tha se do të ndryshojnë. Por Kosnett nuk ka dhënë detaje për cilat pika të marrëveshjes me ndërmjetësimin e administratës, Trump do të rishikohen. E lidhur me paralajmërimin e ambasadorit amerikan, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai ka treguar se kjo deklaratë e ambasadorit Kosnett vjen si rezultat i veprimeve dhe lëvizjeve të kryeministrit në ardhje, Albin Kurti.

“Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka folur dje për shumë çështje. Ai ka thënë se ishte i befasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit, sidomos me zgjedhjet e lira dhe të drejta që u zhvilluan. Deklaroi gjithashtu se duhen mbështetur udhëheqësit e rinj, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Por përmendi edhe Marrëveshjen e 4 Shtatorit 2020 në zyrën ovale të presidentit Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë. Deklarimet e kryeministrit në ardhje, Albin Kurti, se dialogu me Serbinë do të jetë prioritet i gjashtë apo i shtatë në programin dhe aktivitetin e qeverisë së tij duket se patën efektin pozitiv të tyre për Kosovën. Ishte ndoshta një lëvizje e zgjuar kjo, edhe pse vetë Kurti e dinte se Kosova nuk ka komoditetin e nevojshëm për ta përcaktuar politikën e jashtme në rendin e gjashtë ose të shtatë. Kjo për shkak se dialogu dhe zgjidhja përfundimtare e konfliktit me Serbinë është interes evropian dhe amerikan, si dhe ndikon paqen e stabilitetin e të gjitha vendeve të rajonit, përveçse të të dy vendeve në bisedime”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, askush nuk mund ta injorojë besimin e qytetarëve, të cilët i dhanë mbështetje Kurtit më 14 shkurt.

“Kjo dëshmon atë se çdo të thotë të jesh faktor! Çdo të thotë të kesh besimin e qytetarëve! Asnjë vend i madh ose i vogël nuk mundet ta injorojë besimin që politikanët marrin në një proces zgjedhor të drejtë dhe me votim të lirë, siç ndodhi në Kosovën e 14 shkurtit të shkuar. Ky është parim universal e sidomos i vendeve me demokraci liberale e të zhvilluar, siç janë SHBA-të dhe Evropa. Një qeveri me integritet dhe legjitimitet të plotë respektohet shumë herë më tepër sesa një qeveri pa integritet dhe e korruptuar! Prandaj ndodhën me Thaçin ato që ndodhën, deri te lobimi i tij për ndryshime në territorin e Kosovës!”, thekson profesor Bytyçi.

Po çfarë mund të ndryshojë në marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit të kaluar?

“Duket se SHBA-të dhe ambasadori Kosnett janë të informuar për cilat çështje të marrëveshjes janë ose nuk janë dakord të zgjedhurit e rinj, Kurti dhe Osmani. Unë mendoj se do të amandamentohet pika e marrëveshjes për të ashtuquajturin “Minishengen”! Argumenti për këtë është shumë i thjeshtë: Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe me integrimin evropian minishengeni ballkanik humbet çdo lloj funksioni, pse do të duhej të harxhohej energji për këtë qëllim?! Apo që në këtë periudhë 5-10 vjeçare Serbia të forcojë pozitat e saj në rajon e të shihet si liderë e vendeve të tjera?!”, shton profesor Bytyçi.

“Ndoshta do të ketë edhe retushime sa I përket marrëveshjes për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit, ose ndryshime sa I përket vendosjes së ambasadës së Serbisë e të Kosovës në Jerusalem. Ne nuk e dimë ende se cila është pikëpamja e administratës së re Biden lidhur me transferimin e ambasadës amerikane në Jerusalem. Nëse do të ketë një politikë të harmonizuar me Bashkimin Evropian, atëherë presupozohet se presidenti Biden nuk do ta mbështeste një politikë amerikane të ndryshimit të kryeqytetit izraelit. Megjithatë mbete për t’u parë kjo. Sepse ndryshimi i marrëveshjes në rastin e Kosovës mund të çonte në tërheqjen e njohjes nga Izraeli. Dhe kjo nuk I intereson Kosovës. Dhe këtë çështje nuk ka pse ta kontestojë me forcë qeveria e re e zotit Kurti”.

Profesor Bytyçi shton se mund të ketë edhe ndryshime tjera, dhe marrëveshja e Uashingtonit duhet të votohet edhe në Parlamentin e Kosovës.

“Mund të ketë dhe përmirësime tjera lidhur me moratoriumin e Kosovës për të mos lobuar dhe kërkuar për pranime në organizatat ndërkombëtare. Kjo ishte një sakrificë e papranueshme e Grenell, me të cilën nuk besoj se bie dakord qeveria Kurti. Kemi parasysh se Marrëveshja e Uashingtonit ende nuk ka kaluar në parlament dhe me këtë shumicë qeverisëse të zotit Kurti dhe zonjës Osmani zor se mund të kalojë. Ajo marrëveshje është kritikuar nga ana e Vetëvendosjes në opozitë, prandaj dhe është vështirë të kalojë në parlament ashtu siç ajo është. Prandaj dhe do të duhen ndryshime, për ë cilat flet ambasadori Kosnett”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, ai thotë se deklarata e Kosnett dëshmon se amerikanët nuk imponojnë marrëveshje.

“Kjo do të thotë se gjithçka ka ndodhur me çështjen e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë agjendë e Vuçiç, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Madje agjendë e imponuar te administrata amerikane e zotit Trump. Sigurisht për këtë ata gjetën edhe mbështetësit e idesë së ndryshimit të kufijve te Bolton, Grenell e të tjerë. Por një gjë është e sigurt: Nëse Thaçi nuk do të shkonte në emër të tij, të presidentit serb dhe kryeministri shqiptar me harta në duar në Uashington, nuk do të ndodhnin ato që ndodhën”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Lexo të radhës