Korab Sejdiu mbështetë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin në zgjedhjet e 14 shkurtit

LAJME

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu është deklaruar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Sejdiu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se qytetarët kanë dy opsione, atë që kanë bashkëjetuar për mbi dy dekada dhe një frymë të re qeverisjeje.

“Kur flasim për zgjedhjet e 14 shkurtit, besoj që është krijuar një kuptim në elektorat se vendimi do të jetë në mes të asaj me të cilën veç kemi bashkëjetuar për mbi dy dekada, në njërën anë, dhe një alternative tjetër që paraqet një frymë të re qeverisëse, në anën tjetër. Dhe baza elektorale shihet se është e polarizuar në këtë kontekst”, ka thënë Sejdiu.

Duke komentuar zgjedhjet e 14 shkurtit, Sejdiu thotë se lista e Vetëvendosjes dhe ajo e Vjosa Osmanit, kanë një avantazh më të theksuar krahasuar me partitë tjera.

“Natyrisht, nga kontaktet që kemi me qytetarë dhe votues, por edhe nga vlerësimet kredibile të disponimit të votueseve, shihet qartë se fronti i krijuar nga LVV dhe Lista e Vjosa Osmani-Sadriut ka avantazh të theksuar, në krahasim me partitë e tjera, veçanërisht kur konsiderojmë edhe mbështetjen nga diaspora”, thotë më tej ai.

Sipas Sejdiut, LVV dhe lista e Vjosa Osmanit kanë edhe një avantazh tjetër, pasi që udhëhiqen nga dy liderët të nivelit kombëtar.

“Duhet potencuar po ashtu se LVV – Lista e Vjosës kanë edhe një avantazh tjetër krahasues, sepse përderisa lista e LVV udhëhiqet nga dy liderë të nivelit kombëtar, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani-Sadriu, listat e subjekteve të tjera kryesore si LDK dhe PDK, nuk udhëhiqen nga liderët përkatës partiakë, dhe kjo mangësi po shihet qartë edhe në fushatën elektorale. Thënë atë, pyetja këtu nuk është se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por më mirë duhet pyetur se me çfarë dallimi do t’i fitojë zgjedhjet Lista LVV, e prirë nga z. Albin Kurti dhe znj. Vjosa Osmani-Sadriu, dhe a do të arrijë ky front politik të krijojë qeverinë e ardhshme si e vetme, pa pasur nevojë për formim koalicioni me ndonjë parti tjetër”, deklaroi ai.

Theksojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ditë më parë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 14 shkurtit. KQZ ka njoftuar se në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë.

Në këto zgjedhje janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut.

Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara, votimi nga diaspora ka filluar më datën 2 shkurt dhe do të zgjasë deri më 12.