KQZ tregon arsyet pse po refuzohen votat nga diaspora

LAJME

Nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, nga jashtë nga 6 mijë e 700 zarfe, janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime, kurse janë aprovuar 4 mijë e 811.

Arsyet e këtyre refuzimeve i ka treguar për media zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Ai ka treguar se zyrtarët janë duke punuar në verifikimin e pakove me fletëvotime të cilat janë pranuar nga data 2 deri me 12 shkurt 2021.

“Në pakon D1 janë të vendosura pakot që kanë ardhur jashtë vendit nga qytetarë të cilët nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës. Pavarësisht se ai person nuk ka qenë i regjistruar si votues jashtë Kosovës ai ka dërguar në KQZ pakon me fletëvotim dhe kjo është arsyeja se pse KQZ ka vendos ta bëjë refuzimin e një pakoje të tillë”, tha Elezi.

Elezi ka sqaruar edhe një arsye tjetër të refuzimit.

“Në kutitë që mbajnë këtë shenjë D2 këtu janë qytetarët të cilët kanë dërguar pako me fletëvotim por të cilët gjatë periudhës së aplikimit për t`u regjistruar si votues jashtë Kosovës nga data 13 deri më 21 janar janë refuzuar sepse nuk i kanë plotësuar atë kohë kriteret e zotësisë juridike për të qenë votues jashtë Kosovës”, shtoi Elezi.

Elezi ka sqaruara edhe si duket nja fletëvotim i aprovuar.

“Ne këtu e kemi vendos zarfin e një dërgese që është aprovu, në anën tjetër janë disa të dhëna të cilat nuk mund t’i publikojmë dhe numërimi i këtyre pakove këtyre fletëvotimeve që ndodhen brenda këtyre zarfeve do të bëhen pasi të përfundoj procesi i verifikimit”, tha ai.

Lista nga jashtë Kosovës sipas Elezit e cila është certifikuar përmban emrat e përafërsisht 100 e 3 mijë qytetarëve të cilët e kanë fituar të drejtën për të qenë votues jashtë Kosovës gjatë periudhës nga data 13 deri më 21 janar.

Sipas Elezit vetëm pas verifikimit të këtyre pakove mund të dihet se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit, sa janë aprovuar dhe sa fletëvotime janë refuzuar.