Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron shpalljen e një Republike të re

LAJME

Lëvizja Vetëvendosje po paralajmëron shpalljen e “Republikës së Tretë” pas zgjedhjeve, diçka që kreu i këtij subjekti politik dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti e kishte paralajmëruar vite më parë, por për një kohë nuk e ka përmendur më, shkruan Gazeta Express.

Anëtari dhe përfaqësuesi ligjor i LVV-së, Blerim Sallahu, ka paralajmëruar “menjëherë pas zgjedhjeve” ndërtimin e “Republikës së Tretë”, duke thënë se s’ka alternativë tjetër.

Alternativë tjetër s’ka: Pas zgjedhjeve, menjëherë duhet të fillojmë ta ndërtojmë Republikën e Tretë!”, ka shkruar Sallahu.

Postimi i Blerim Sallahut në Facebook
Një qytetar e ka kundërshtuar Sallahun në komente, duke i thënë “Vallahi ju i boni edhe 15 Republika me ju lane”, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur.

Ti ke me qene vec spektator i ndertimit te Republikes. Duhesh me u ndje krenar qe do te jetosh ne Republiken e Trete”, i ka replikuar Sallahu, ndërsa tutje i ka thënë ta marrë shembull Francën për këtë.

“Lexo pak se u myte tu pi çaj. Merre shembull Francen. Nese mundesh me dite sa Republika i ka shpall Franca mundesh me kane punetor i mire dhe i ndershem ne Republiken e Trete”, ka shkruar Sallahu.

Në vitin 2015, Kurti i jepte zë idesë së tij për “Republikën e Tretë”. Ai deklaronte se Kosovës i duhet një Republikë e tretë që do të ndërtohet mbi socialdemokracinë.

“Duhet provuar socialdemokracia, duhet provuar një Qeveri e majtë. Republika e tretë bëhet përmes socialdemokracisë”, deklaronte Kurti.

“Zhvillimi duhet të bëhet kryefjala e kursit të ri shtetëror. Përderisa kjo nuk ndodhë, ne do të vazhdojmë të jetojmë në këtë Republikën e dytë në të cilën ekonomia është e dominuar prej privatizimeve dhe nepotizmit. Republikën e tretë ne e shohim si Republikë për zhvillim dhe të njëjtën kohë e shohim si Republikë në të cilën definohen disa parime të reja. Duhet t’i kthehemi vetvetes në kuptimin e zhvillimit dhe sovranizimit”, theksonte ai në një debat të organizuar nga Lëvizja Fol në mars të vitit 2015.

Tri vjet më parë, më 28 nëntor, Kurti e përmendte sërish “Republikën e Tretë”, ndërsa theksonte se do ta çojnë përpara këtë projekt.

“Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë”, kishte shkruar Kurti.

“Republika e Tretë” është term i vjetër që daton nga kohët e konflikteve të ashpra të sistemeve dhe shteteve.

Sistemi i qeverisjes që Franca e mirantoi në vitin 1870, kur Perandoria e Dytë Franceze u shemb gjatë Luftës Franko-Prusiane pas disfatës së Francës nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore, u quajt “Republika e Tretë”.