Lumir Abdixhiku kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës?

LAJME

Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Prishtinë, Samir Saliu, Jeta Rafuna, Kushtrim, kanë filluar të bëjnë fushatë në mënyrë që partia e tyre, të nominojë si kandidat të LDK-së për Prishtinë Lumir Abdixhikun.

Të tre asamblistët duket se kanë preferencën e koncentruar te figura e Abdixhikut, si kandidati që do t’i bëjë ballë Lëvizjes Vetëvendosje, që shihet si favorit për fitimin e komunës së Prishtinës.

Deri më tani nga Lëvizja Vetëvendosje është përmendur emri ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, si kandidat i mundshëm. Ndërkohë nga PDK, po ashtu ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Isamili ka bërë të ditur se ka dorëzuar kandidaturën e tij në organet e partisë.

Kujtojmë që në zgjedhjet komunale në komunën e Prishtinës gara ishte zhvilluar mes kryetarit aktual, Shpend Ahmeti si kandidat i VV-së dhe Arban Abrashit të LDK-së, që u mund të balotazh nga Ahmeti.

Abdixhiku pas zgjedhjeve parlamentare kishte falënderuar votuesit e tij, e veçanërisht ata të Prishtinës.

“Tash që u shpallën rezultatet përfundimtare, më duhet t’i falenderojë nga zemra plot 29,565 votuesit e mi. Është hera e dytë që marr një mbështetje të tillë. Kështu, kaq shumë, përveç nderit më jepni dhe përgjegjësi. Në veçanti, por jo për dallim, më duhet t’i falënderojë plot 10,168 votuesit e mi në Prishtinë. Më bëtë ndër më të votuarit në kryeqytet, në qytetin tim. Dhe me këtë, më shumë se kurrë, ma bëtë të qartë drejtimin e angazhimit tim politik”, kishte shkruar Abdixhiku.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka bërë publik emrin se kë do ta kandidojë për Prishtinën.

Derisa Ismet Beqiri ka thënë se nëse ia kërkon partia, është i gatshëm të kandidojë sërish për të parin e Prishtinës.