“Më mirë që vd iq vëllai… shpëtoi nga ky tmerr ku po jetojmë ne”

LAJME

Tre fëmijë të mitur, një baba që nuk gjen dot punë për shkak se ka humbur dëgjimin dhe një nënë që rri shumicën e kohës e shtrirë, e zhytur në depression dhe kujtime për të hidhura për humbjen e foshnjes.

Kjo është një copëz e historisë së trishtë të familjes Bego, e cila jeton në Maliq të Korçës. Emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ e vizitoi familjen Bego, për të mësuar më shumë mbi gjendjen ku jeton kjo familje, në kohët e koronavirusit.

E para që flet është Sonila, 13 vjeçe. E mitura nis të qajë dhe tregon për humbjen e jetës së gjyshit të saj. 83 vjeçari ndërroi jetën në dhjetor të vitit të kaluar dhe ikja e tij e ka shkatërruar familjen. Gjyshi i Sonilës ishte ai që mbante në këmbë familjen.

Sonila: Gjyshi jetonte me ne, sepse nuk kishim shtëpi dhe shtëpia ishte në emër të gjyshit e të xhaxhallarëve.

Pastaj pasi vdiq gjyshi, shtëpia ngeli në emër të xhaxhallarëve dhe ata menduan të na i dhuronin ne. Na dhuruan divanë, çdo gjë që gjyshi të kishte një vend të rehatshëm që të rrinte, ti gëzonte ditët që i kishin ngelur. Kur na harxhoheshin lekët gjyshi shkonte gjente borxh për ne kur ngeleshim keq. Gjyshi nuk zgjodhi të martohej pasi gruaja i vdiq në moshë të re, por ai zgjodhi të rrinte me babin duke qenë se nuk dëgjon.

Mentori 41 vjeçar e vuan edhe më shumë largimin e babait. Thotë se ishte shtylla ku ai mbështetej, teksa tanimë familja mbahet me dy kempe me një total prej 200 mijë lekësh në muaj, para që nuk mjaftojnë as për t’u ushqyer.

Mentori: Kisha babin mbështetje, na ndihmonte dhe tani po bën nja dy muaj që jam si i mbyllur. Kur më vdiq babai isha i humbur, mu duk sikur më mori me vete. Gjysmën e trupit nuk e ndjeja fare.

Elsa është fëmija më i madh i familjes dhe tregon vështirësitë e jashtëzakonshme me të cilat përballen çdo ditë.

Elsa: Vetëm motra dhe babi marrin kemp, dhe në muaj kemi 200 mijë lekë dhe nuk na dalin pasi jemi 3 fëmijë në shkollë. Ushqimet i marrim me listë dhe kur presim muajin tjetër që marrim kempet, i paguajmë borxhet, por jo të gjitha sepse ngelim pa gjë për vete. Pasi vdiq gjyshi, ka patur momente kur nuk kemi pasur për të ngrënë e ka patur edhe netë që kemi fjetur pa ngrënë bukë.

Por ditët e vështira për familjen Bego nuk përfundojnë kur bie nata. Nëna e tyre priste një fëmijë dhe në shkurt shkoi në maternitet për të lindur.

Zyra Bego: Në datë 4 shkurt ndodhi kjo gjë! Unë isha shtatzanë dhe e prisja fëmijën me gjithë zemër. Mora në telefon ambulancën, erdhi më mori në shtëpi që të lindja. Në orën 2 të drekës arrita aty. Kisha shumë dhimbje e mjekët thanë që do futesha në operacion. Nuk kisha frikë për veten, kisha frikë vetëm për fëmijën.

Elsa dhe Sonila tregojnë se kishin bërë gjithçka gati në banesë, madje për vëllain e vogël kishin ndërtuar dhe një djep. Sonila thotë se do të ishte hera e parë që ajo do të mbante në duar një foshnje. Por shumë shpejt familja Bego do të përjetonte sërish një ditë të errët.

Elsa: Mami është e sëmurë pasi kaloi një operacion të vështirë dhe kur prishet koha e ka pothuajse të pamundur të lëvizë. Edhe kur do të lëvizë, unë dhe motra i rrimë pas, e ndihmojmë që të mos rrëzohet apo lëndohet. 9 muaj që pritëm për vëllain ka qënë një gëzim shumë shumë i madh, dhe i kishim bërë rrobat dhe djepin gati. Mezi po prisja që të vinte mami në shtëpi, e të merrja vëllain në duar. I kishim gjetur edhe emrin, ia kishim vendosur Mikel. Unë në atë moment po nxirrja kafen dhe sapo e mora vesh lajmin më ra kafja nga dora dhe shkova në dhomën tjetër. Kam qarë pafund.

Që prej asaj kohë, nëna e vajzave ndodhet në gjendje të rëndë mendore. Qëndron e shtrirë shumicën e kohës. Me lot në sy Sonila, vetëm 13 vjeç, nxjerr fjalë që asnjë fëmijë s’duhet t’i mendojë. Përpiqet ta ngushëllojë veten duke thënë se ishte më mirë kështu, që vëllai i saj nuk lindi gjallë, pasiqë do të provonte ferrin si ajo, motra e vëllai i vogël.

Sonila: Erdhi kushëriri i babit e po flisnin së bashku me babin. Unë i pyeta nëse ishte mami mirë. Ose do të shpëtonte mami, ose vëllai. Në ato momente kushëriri tha: Vëllai vdiq! Në ato çaste isha duke bërë detyrat, dhe mu errën sytë, theva lapsin. Babi në ato çaste u bë shumë keq, u marros ndërsa mami ishte në spital dhe nuk e përjetoi fare mirë. Kishim çdo gjë gati dhe në momentin e fundit na u prenë shpresat. Më mirë të kishte ikur të mos e jetonte këtë botë tërë tmerre, sëmundje, ankthe. Edhe po të sëmurej nuk do kishim lekë ta shëronim.