Merr fund “notimi politik” i Nismës dhe AKR-së, kërkohet shuarja e tyre

LAJME

Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 14 shkurtit sollën një ndryshim të madh në skenën politike në vend. Krahas ngritjes së madhe të Lëvizjes Vetëvendosje, partitë tjera pësuan rëniet më të mëdha në historinë e tyre politike.

Madje, partitë si Nisma dhe AKR morën një numër tejet të vogël të votave, sa që rrezikuan seriozisht vazhdimësinë e tyre në skenën politike.

Nisma nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për kalimin e pragut zgjedhor, pasi mori vetëm 2,7 % prej tyre.

Në këtë rast, as AKR nuk doli më mirë në këto zgjedhje, pavarësisht koalicionit parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në bazë të rezultateve të deri tanishme përveç kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli i cili thuhet se ka arritur të sigurojë ulëse në kuvend, kandidatët e tjerë të kësaj partie kanë dështuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Bazuar në këto rënie të mëdha elektorale të këtyre dy partive politike, nuk mund të përjashtohet mundësia e shuarjes së tyre, pasi vështirë se mund të reformohen si parti në këtë fazë që po kalojnë.

Njohësit e çështjeve politike, për gazetën “Bota sot” deklaruan se formimi i këtyre subjekteve politike asnjëherë nuk ka qenë i nevojshëm, prandaj shuarja e tyre është vendimi i tyre më i duhur. Kjo, pasi këta të fundit vlerësuan se këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë plan program dhe ideologji të qartë politike.