Mesazhet dhe videot ku vëllai i Hajdar Beqës kërkon 33% aksione në kompani për një ankand

LAJME

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ ka transmetuar hulumtimin se si një biznesmen nga Gjakova pretendon se Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa, i ka kërkuar aksione në kompani për t’i hapur rrugë marrjes së një kontrate nga komuna e Gjakovës.

Hulumtimi i këtij skandali ka nisur kur në KALLXO.com është paraqitur Hajdar Podrimja, i cili është përfaqësues i kompanisë ‘Gjakova Reciklim’. Kjo kompani në vitin 2017 e kishte fituar ankandin për reciklimin e mbeturinave ndërsa në fund qeverisjes së re të Gjakovës i kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës.

Ndërrimi i pushtetit solli edhe kërkesa të tjera përfaqësuesit e kompanisë pretendojnë se nuk arritën ta nënshkruajnë kontratën për faktin se njerëzit e lidhur me pushtetin e komunës së Gjakovës i kishin kërkuar 33% te aksioneve ne këmbim që kontrata të nënshkruhej.

Për ta dëshmuar këtë skandal Hajdar Podrima thotë se ka prova në mesin e të cilave një mesazh në telefon ku decidivisht i ishin kërkuar 33% e kompanisë.

Hajdar Podrimaj pretendon se Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa, i kishte kërkuar 33 % të aksioneve të kompanisë së tij në këmbim të marrjes së këtij ankandi.

Hajdar Podrimaj ka provë një mesazh në telefon ku kërkohet dëshmia se aksionet janë bartur në emër të Hasan Beqës.

Në takimet e filmuara shihet Hasan Beqa dhe Hajdar Podrimaj duke biseduar që në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ nuk duhet të përmendet emri i deputetit Hajdar Beqa.

Sipas të vëllait, Hajdar Beqa ka lidhje të mira me gjyqtarët dhe se nëse e përmendim “mund të na bën ndonjë padi”.

Mesazhet e shkëmbyera mes Hasan Beqës dhe Hajdar Podrimajt

Më poshtë mund të gjeni një pjesë të transkriptit ku bashkëbiseduesit flasin për këtë çështje:

Podrimaj: A të kam thanë që vëllai im me qenë nuk mërzitna se është ekzistenca ngo ngo.

Beqa: O nuk na ka ba dëm pasha qat bablok. Ka me dalë që s’na ka ba dëm.

Podrimaj: Nuk them more që na ka ba dëm.

Beqa: Nuk na ka ba dëm Hajdari as si ka thanë kujt mos jau kryj. Përkundrazi ju ka thanë uluni krynja, krejt dalin thonë ju ka thanë kryja, ma ma se është marre Hajdar, ka Zot.

Podrimaj: Nuk e di unë.

Beqa: Jo e di unë.

Podrimaj: Nuk e di more, nuk i besoj vëllait tim, nuk i besoj. Për këtë punë si besoj vëllait tim.

Beqa: Vallahi Hajdar ju ka thanë krejtve me na kry punë e është marre, ngom mos na shti telashe me Hajdarin aman jam ka të lutna si vëllait.

Podrimaj: Nuk ka more çfarë telashe, send hak nuk i kam.

Beqa: Vallahi po as ai neve, as mua, as ty se a e dëgjove çka tha, Hajdar Podrimja është shok i yti burrë, tha, ti më ke thirrë për të

Podrimaj: Jo more atë e njoh para teje po folim çka është.

Beqa: Nashta, me mua ke nejt ma shumë.

Podrimaj: Po e vërtetë është për atë punë.

Beqa: Me mua ke nejt ma shumë.

Podrimaj: As me ma dhanë dynjanë veç një.

Beqa: Më tha a po të përmendin shokët e mi ty tha pse me m’përmendë shokët e tu burrë.

Podrimaj: E pse the, thuaj kështu!

Beqa: O Hajdar bre me mu e ka pas bre Hajdar me mua e ka pas. Dëgjo jaranin tënd aman s’di qysh me tu lutë burrë, aman aman.

Podrimaj: Jo more s’ke çka me mu lutë se jam teshë për veti.

Beqa: Ani me letra grahi Hajdar.

Podrimaj: Po more me letra e me njerëz e me gazetë e me çdo send.

Beqa: Jo bre o Hajdar jo me të thanë.

Podrimaj: Jo s’ka të thane këtu veç çka u kanë.

Beqa: Fjala jote kundër times nuk bën se s’jam ka du me hy në fjalë me ty Hajdar.

Podrimaj: Për çka në fjalë?

Beqa: Kur bjen fjala fjalën, fjala fjalën…

Podrimaj: Jo jo ska nevojë.

Beqa: Nxehen gjakrat na bën Zoti hor Hajdar, mo.

Podrimaj: Jo jo unë nuk jam ka du me hy në atë punë.

Beqa: Mo se as s’je i lig ti as na nuk jemi të ligë

Podrimaj: Unë as s’jam ka të bëj të ligë as të fortë as ty as veten.

Beqa: Është marre Hajdar, për besë.

Podrimaj: A për m’u nxeh gjakrat e këto…

Beqa: Nxehen Hajdar se s’na ka hak as hile njeri me përmend.

Podrimaj: As unë hak as hile s’i kam.

Beqa: Mund na bon një padi i ka krejt gjykatësit e njohshëm, krejt i ka të vetët na bon një padi na çon… burgu të dyve që ja kemi përmend emirin.

Podrimaj: Jo more s’un më çon.

Beqa: Po burrë po. Vallahin ty e mu.

Podrimaj: Le t’më çon more nëse unë jam në faj, le t’më çon.

Beqa: Këtu të çojnë pa pikë faji, o Hajdar.

Podrimaj: Jo more se nuk të çojnë pa pikë faji se ka gjykatë mbi gjykatë

Podrimaj: Veç një a je i zoti i besë që më bën bé nal nal nal, kur e ke thirrë Hajdarin jena kanë unë e ti e djali yt.

Beqa: Po ka thanë.

Podrimaj: Pa u kry 33 përqindëshi nuk kryhet, nuk kryhet.

Beqa: Qite në letër ka thanë, qite ne letër merri ti 33 përqind, jo ami mua.

Podrimaj: Edhe kryhet, ja ja s’po them unë ami mu.

Beqa: Nuk i ka lyp Hajdari për mua po ka thanë Hasan qite në letra, bile i kam thanë se i kam edhe unë mesazhet e tua se s’i fshij kurrë.

Podrimaj: Unë atyre ju kam thanë boll mirë. Prej qasaj dite që u dal qeky 33 % kanë ndryshu sendet

Beqa: Jo bre Hajdar, jo.

Podrimja: Po bre burrë ma ke thanë në ‘Happy’.

Beqa: Jo bre Hajdar.

Podrimaj: Pas ‘Happy’-t ma ke çu 33 përqind.

Beqa: Po ti mos më shti mua se unë e kam vëlla.

Podrimaj: Jo nuk jam ka të shti ty po ti je i kyçur në 33 % ku lypet.

Beqa: A nuk ma ke jep?

Podrimaj: Jo s’ta kam dhanë.

Beqa: S’ma ke jep se nuk e ki në letra po kena pasë jo për këtë punë me punu ma andej

Podrimaj: Jo jo për qetu.

Beqa: Jo jo.

Podrimaj: A tha more burrë a tha atë ditë Hajdari?

Beqa: Jo bre.

Podrimaj: Kur erdh puna kanë qit kushte kanë, qit sende, kanë lyp 33 përqind.

Beqa: Jo jo.

Podrimaj: Po mirë, tash ti përgjigju, ti ma ke dërgu në mesazh.

Beqa: Jo këto janë privat krejt.

Podrimaj: A ma ke çu mesazh?

Beqa: Hajdar unë muna me thanë ma ka marrë dikush telefonin ja ka çu Hajdarit, jam kanë me Hajdarin në tavolinë, nuk bon me shfrytëzu mirësinë time.

Podrimaj: Jo more se jam lodh me shpirt se 150 herë t’kam thirrë Hasan.

Beqa: Jo bre mua.

Podrimaj: Jam në Prishtinë, jam në Tiranë, jam këtu, jam atje…

Beqa: Ju kam thanë me kry, Hajdar…

Në tavolinën e diskutimit në mes Beqajt e Podrimës është mundësia që kompanisë të cilën Prodrimja e përfaqëson t’i jepet kontrata për riciklimin e mbeturinave në Gjakovë. Takimet dhe muhabetet ndodhin për shkak se PDK në Gjakovë udhëheq drejtorinë e Shërbimeve Publike në këtë komunë dhe Beqaj mund të ndikojë tek ai për të lehtësuar punë.

Drejtori i shërbimeve publike në komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati, nuk e mohon se njihet me Hasan Beqën pasi që ky i fundit është vëllai i deputetit Hajdar Beqa, mirëpo mohon të ketë dijeni se dikush ka kërkuar përqindje që të kryhet kontrata.

“Unë e kam mik kryetarin e Partisë Demokratike Dega në Gjakovë. Hasani është vëllai i tij po nuk po dua me hy në paragjykime të natyrës së tillë për këtë është mirë me ia lënë drejtësisë me marrë vendimin e caktuar”, theksoi drejtori Kastrati.

“Nuk besoj, personalisht po flas për shkak se edhe unë jam pjesë e politikës me njëfarë forme, mirëpo zakonisht dhënia e pronës në shfrytëzim është ankand i hapur publik ku në atë komision marrim pjesë të gjitha subjektet politike, po në të njëjtën kohë edhe ekspertët e fushës, drejtorët relevant të fushës”, shtoi ai duke folur për kontratën e fituar nga kompania “Gjakova Reciklim”. Ai tha se është kërkesë zyrtare e komunës që kjo lëndë të shkojë në prokurori për hetim.

Biznesmeni Hajdar Podrimaj ka paraqitur prova të cilat, sipas tij, dëshmojnë se vëllai i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, i ka kërkuar 33% të aksioneve të kompanisë për t’i dhënë një ankand në komunën e Gjakovës, zbuloi “Drejtësia në Kosovë” në hulumtimin e transmetuar sonte.

Podrimaj ka paraqitur një mesazh telefoni ku Hasan Beqa i shkruan në mesazh me të cilin i kërkon që të shkojë te noteri dhe t’ia bartë aksionet e kompanisë. Podrimaj ka filmuar edhe bisedat ku diskutohen mesazhet.

“Viti 2017 Hasan Beqa vëllai i Hajdar Beqës e kam takuar në një kafe i kam tregu që po neglizhojnë dhe atëherë erdhi puna tha me ma bo mua 33 % tha nuk ka qare pa nënshkrua se unë foli me Hajdarin, deputetin në parlament”, ka thënë Podrimaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka mohuar të ketë dijeni në lidhje me këto biseda dhe ka thënë se nuk mban përgjegjësi për veprimet e askujt.

“Unë nuk kam ide për këtë far çështje nuk kam qenë pjesë e atij muhabeti dhe nuk kam bisedua me ata njerëz për këtë çështje, unë i kam edhe 5 vëllezër dhe 2 motra të gjithë i kanë mbi 30 vjet dhe unë nuk muj me dhanë përgjegjësi për asnjërin”, theksoi Beqa.

Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, lidhur me përfshirjen e tij në biseda me një biznesmen lidhur me përfitimin e një kontrate komunale, ka thënë se kanë qenë biseda miqësore. Ai nuk e ka mohuar asnjëherë që i ka kërkuar këtij biznesmeni 33 përqindëshin e kompanisë.

“Unë Hajdar Podrimajn e kam mik dhe ndoshta edhe kemi bërë biseda pune ndonjëherë, pretendimeve se unë kinse i paskam ofruar mbështetje politike kjo nuk qëndron, e nuk qëndron as që kam biseduar me vëllain tim me i ndihmua Hajdar Podrimajt”, ka thënë Beqa.