Mustafa: S’ka kandidatura për kryetar të LDK-së pa marrë përkrahjen e Kuvendit

LAJME

Asnjë kandidaturë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk llogaritet zyrtare pa u dhënë në Kuvendin e kësaj partie, ka thënë Isa Mustafa, kryetari në dorëheqje i LDK-së.

Në një deklaratë të shkurtër për KOHËN, Mustafa të shtunën vonë ka mohuar çfarëdo kandidature që është raportuar deri tash nëpër media. Ai ka thënë se “çdo kandidaturë duhet të marrë përkrahjen e Kuvendit për të hyrë në votim”.

Kandidaturat do të jepen në Kuvendin e LDK-së. Deri atëherë nuk ka kandidatura zyrtare”, ka thënë ai pak pasi Anton Quni nga kjo parti u shpreh se është kandidat për të parin e LDK-së.

Quni i ka thënë KOHËS se në Kryesinë e ngushtë të LDK-së ka bërë të ditur se do të kandidojë për kryetar, ndërsa procedurat formale ende s’i ka nisur.

Isa Mustafa u dorëhoq në fillim të javës, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

LDK-ja doli e treta në zgjedhjet e përgjithshme me vetëm 13 për qind, kur kanë mbetur pa u numëruar votat me kusht dhe ato me postë. Është rezultati më i dobët në historinë e kësaj partie.

Para LDK-së prijnë bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, që ka marrë mbi 47 për qind të votave, dhe Partia Demokratike e Kosovës që ka 17 për qind.

Pa u bërë 24 orë pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve, Mustafa e kishte njoftuar Këshillin e partisë për dorëheqjen. Ai propozoi që Kuvendi i partisë të mblidhet shumë shpejt për të zgjedhur kryetarin e ri.

“Vlerësoj personalisht që rezultati është shumë i keq për LDK-në dhe një rezultat që nuk e kemi pritur. Vlerësojmë që kandidati Avdullah Hoti ka bërë një punë të mirë dhe të suksesshme dhe ka prezantuar programin qeverisës. Por vota e qytetarëve është ajo që duhet të respektohet dhe shenjë të kësaj vote, dhe për organizim, unë sot kam njoftuar Kryesinë që do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në periudhë shumë të shpejtë kohore. Mendoj që LDK do ta ketë së shpejti kryetarin e ri dhe do të bëjmë të gjitha përgatitjet përmes Kryesisë në mënyrë që ky proces të kryhet sa më mirë. Vlerësoj që barti një përgjegjësi për këtë që ka ndodhur, edhe pse nuk kam qenë në proces të zgjedhjes”, kishte thënë Mustafa.

Menjëherë pas dorëheqjes nisën raportimet për emrat që synojnë të marrin këtë post që u mbajt nga Mustafa për gati 11 vjet. Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku ishin emrat më të përfolur. Asnjëri prej tyre nuk i është përgjigjur të shtunën interesimit të KOHËS për ta komentuar këtë çështje.

Me Statut të LDK-së, kryetari i saj zgjidhet në Kuvend të partisë me votim të fshehtë. Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë kërkon miratimin e 50 për qind plus një të delegatëve të pranishëm. Në rast se Kuvendi nuk miraton më shumë se një kandidaturë, Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar. Kuvendin e LDK-së, sipas Statutit, e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve + kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të partisë.

Çështja e mënyrës së kandidimit kishte zgjuar polemika në LDK edhe në të kaluarën. Më 2019, Isa Mustafa fitoi mandatin e tretë duke u zgjedhur kryetar me aklamacion. Atë kohë, ish-presidenti Fatmir Sejdiu ishte pretendent për kryetar. Por në kandidim mori vetëm 78 vota dhe pasi s’kishte marrë përkrahjen, e kishte lëshuar sallën. Pikërisht neni statutor që kërkon 50 për qind plus një votë për kandidatura, ishte pika që ai kërkonte të ndryshohej. Bashkë me të edhe disa anëtarë të tjerë të LDK-së kishin shprehur shqetësime për përzgjedhjen e Mustafës.