Osmani e Kurti te nëna Ferdonije: Asnjë përvjetor s’do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë

LAJME

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë vizituar nënë Ferdonijë Qerkezin në Gjakovë, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, të cilët u zhdukën me dhunë nga forcat serbe.

Kjo vizitë erdhi në ditën e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

E pikërisht 17 shkurti është edhe data e lindjes së djalit të Ferdonijes, Artanit.

Osmani tha se shtëpia ku ruhen gjësendet e djemve të saj, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë, ndërsa shton se asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.

“E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit”, ka shkruar Osmani.

“Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrenë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë.

Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë”, shton ajo.