Pakënaqësi ndaj Agjencisë për Rini dhe Sport – Klubet shqiptare diskriminohen, reagojnë forumet rinore të opozitës shqiptare

LAJME

Forumet Rinore të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, bashkë me disa përfaqësues të klubeve sportive në vend, kanë reaguar sot para zyrave të Agjencisë për Rini dhe Sport, si pasojë e diskriminimit që u bëhet klubeve shqiptare nga kjo agjenci.

Shkaku kryesor i shpërthimit të pakënaqësive ndër klubet shqiptare, ka qënë shpërndarja e fundit e vauçerëve financiarë që kjo agjenci e bën për çdo vit. Sipas disa klubeve shqiptare, atyre u janë ndarë mjete simbolike financiare, dukshëm më të ulta se klubeve maqedonase. Për këtë arsye sot, FRASH dhe FRAAA bashkë me disa përfaqësues të klubeve sportive shpreheën indinjatën e tyre ndaj Agjenciseë për Rini dhe Sport dhe kërkuan rishikimin e vendimit për shpërndarjen e mjeteve financiare, përcjell in7.

“Sot ishim para Agjencisë për Rini dhe Sport në mbështetje të përfaqësuesve të klubeve sportive dhe sportistëve. Agjencia për Rini dhe Sport para dy ditësh në mënyrë diskriminuese ndaj klubeve dhe sportistëve shqiptar ndau vauçerat të cilat çdo vit i ndanë kjo Agjenci. Diskriminimi i shqiptarëve është sa i qartë aq edhe i thellë.

Nga 76 talentë të rinj që kanë marrur vauçere, vauçere kanë marrur vetëm 3 shqiptarë. Në anën tjetër, klubet e futbollit siç janë KF Drita, KF Shlendija për femra, KF Vardari-Forinë, KF Bashkimi, KF Veleshta, në krahasim me kriteret e përmbushura dhe ekipet maqedonase, qartë përjetojnë dhe ndjejnë diskriminimin. Kërkojmë nga Agjencia për Rini dhe Sport që të rishqyrtojë këtë ndarje të padrejtë të vauçerëve dhe urgjentisht të ndalojë diskriminimin e klubeve dhe sportistëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e forumeve rinore të opozitës shqiptare.