Ramush Haradinaj me 7% të votave dëshiron të “shpërblehet” me postin e Presidentit

LAJME

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është një prej kandidatëve për president të Kosovës.

Ai gjatë gjithë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit ka shpalosur program për postin e presidentit.

Tersi i gjithë kësaj është se deri më tani për aq sa rezultatet e zgjedhjen dihen AAK ka dalë në vendin e katërt më 7%.

Por pavarësisht kësaj, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka paralajmëruar se kjo parti s’do të votojë asnjë kandidat tjetër për president, përpos Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se AAK nuk heq dorë nga kandidatura e Ramush Haradinajt për president. Madje, ai nuk e kupton pse diskutohet mundësia që AAK të heq dorë nga posti i presidentit.

“Ne qëndrojmë veç me kandidaturën tonë. Kjo dihet nuk e di pse keni dilema për këtë punë”.

Mirëpo kandidate për presidente është edhe Vjosa Osmani e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës.

Shahu: AAK ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet

Analisti Rexhep Shahu për “Bota sot” shprehet se, përveç që është legjitime kandidatura e Haradinaj, partia e tij AAK që ka 7 përqind të deputetëve është parti e konsiderueshme që ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet

“Ramush Haradinaj ose secili deputet i Kosovës ka të drejtë të zgjidhet president sepse askush nuk ka garuar për president në zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk ishin për president por për deputetë, pasi Kosova është republikë parlamentare e jo republikë presidenciale. Ramush Haradinaj sikur me pas vetëm votën e tij ka të drejtë të garojë në Kuvend për t’u zgjedhë president i Kosovës nga parlamenti, nga Kuvendi i Kosovës. Natyrisht dhe partia e tij AAK që ka 7 përqind të deputetëve është parti e konsiderueshme që ndoshta ka numrat e artë për të krijuar institucionet”, ka thënë Shahu.

Më tej ai shton se, ndonëse Haradinaj ka dhënë shumë për vendin, nuk do të thotë se duhet shpërblyer me postin e presidentit të Kosovës.

Sipas tij, Haradinaj ka përkrahjen e partisë së tij dhe se parlamenti e sheh dhe peshon se a ka nevojë për votat e AAK për tjera funksione apo jo.

“Ramush Haradinaj si individ është i certifikuar se ka dhënë prova në drejtim të Kosovës dhe me sukses. Ai ka qenë kryeministër në dy kohë dhe me arritje. Pastaj kontributi i tij individual dhe familjar për luftën është madhështor, ai i ka dhënë tre vëllezër luftës. Kjo nuk do të thotë se duhet shpërblyer me postin e presidentit të Kosovës për këtë shkak, por do të thotë se është kandidaturë e konsiderueshme dhe me kontribute e vlera ndoshta më shumë se sa shumë të tjerë që janë bërë deputetë nga partia e jo nga meritat individuale.

AAK ka gjithë të drejtën që votat e saj t’i japë vetëm për Ramushin. Parlamenti e sheh dhe peshon se a ka nevojë për votat e AAK për tjera funksione apo jo”, thekson Shahu.