Sekretari amerikan i Shtetit: Njohja reciproke Kosovë-Serbi kërkon kompromis nga të dy palët

LAJME

Sekretari amerikan i Shtetit: Njohja reciproke Kosovë-Serbi kërkon kompromis nga të dy palët

Në emër të qeverisë amerikane, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka përgëzuar qytetarët serbë për ditën e shtetit, ndërsa ia ka përsëritur Serbisë kërkesën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për njohje reciproke me Kosovën.

Në mesazhin e tij të urimit, Blinken konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për zhvillimin e një aleance të gjatë midis dy vendeve, ndërsa theksoi marrëveshjen gjithpërfshirëse me Kosovën, duke përmendur një kompromis që do të kërkohet nga të dy palët për arritjen e njohjes reciproke, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:
Përfundon numërimi edhe në Podujevë, VV para LDK-së
“Departamenti i Shtetit mirëpret përpjekjet që çojnë në krijimin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që synon njohjen e ndërsjellë do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të dy palët”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA në një deklaratë zyrtare.

Javën e parë të shkurtit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti në ditën e fundit të asaj jave në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një kërkesë eksplicite.

Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Megjithëse Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm. BE-ja s’e ka përmendur njohjen e ndërsjellë si kusht për arritjen e një marrëveshjeje finale.