Sondazhet, profesori tregon sa për qind do t’i fitojë VV, me kë duhet të bëjë koalicion, si dhe kush vendos për postin e presidentit

LAJME

Sondazhe të shumta janë publikuar në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Në pothuajse të gjitha sondazhet, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që prin, derisa përqindja dallon varësisht nga sondazhi. Lidhur me to ka pasur edhe reagime e pakënaqësi, duke thënë se janë të paguara dhe nuk janë aspak të besueshme.

E sondazhi i fundit i publikuar nga PIPOS, e nxjerr VV-në të parën me 41 për qind, PDK me 22, LDK me 19, AAK 8 për qind dhe Nisma me 3. Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi. Ai thotë se sondazhi i fundit i duket më afër realitetit, pasi gjithnjë ka dyshuar në gjithë atë pushtet të VV-së dhe Iniciativës Vjosa Osmani.

“Prej kohësh janë publikuar sondazhe të ndryshme për rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit në Kosovë. Nuk mungojnë sondazhet edhe për rezultatin zgjedhor në Shqipëri. Por le të ndalemi në anketimet për zgjedhjet politike në Kosovë. Këto sondazhe kanë dëshmuar dhe dëshmojnë që Lëvizja Vetëvendosja së bashku me Lëvizjen Vjosa do të kishin 51 për qind të votave. Ndërsa dje u publikua një anketim, në të cilin tregohet se fituesit absolut të zgjedhjeve të 14 shkurtit janë dobësuar dhe kanë rënë te 41 përqind. Ky sondazh më duket më afër realitetit, sepse gjithnjë kam dyshuar që vetëm Vetëvendosja plus Vjosa do të kishin gjithë pushtetin në Kosovë. Aty kemi një ligj zgjedhor dhe një konfiguracion politik, të cilat nuk të lënë të kesh shumicën absolute i vetëm. Dhe mesa duket e gjitha është ndërtuar me qëllim që të ruhen standardet e demokracisë. Ndërkaq jo pa qëllim u janë lënë minoriteteve 10 vende të rezervuara, të cilat janë pengesë e pakapërcyeshme për të shkuar dikush në 50 për qind +1 deputet”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, sondazhet tjera që e paraqisnin VV-në me 51 për qind, ishin të fryra dhe kjo bëri që Kurti e Osmani të sillen si fitues dhe të mendojnë se e kapën qiellin me duar, ndërsa që harruan programin.

ImageProf. Dr. Enver BytyçiFOTO GALERI
“Po pse ra Vetëvendosja me 10 për qind krahasuar me sondazhet e para. A ishin ato sondazhe të pabesueshme dhe jo reale, apo ka ndodhur diçka tjetër? Mendoj se fitorja me 51 për qind e proklamuar në sondazhet e kaluara nuk ishte një rezultat saktë, kishte pak fryrje. Kjo fryrje e rriti dozën e euforisë te zoti Kurti dhe zonja Osmani. Të dy menduan se kapën qiellin me dorë dhe tash i mban Zoti në dorë. U sollën si fitues. Nuk sollën një program politik konkret, përveç logos së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeverisja me duar të pastra është ajo që ofron koalicioni VV+V. Këtë e besojnë qytetarët e Kosovës, edhe për faktin se janë të zhgënjyer me qeverisjen e mëparshme. Por nëse angazhimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të shoqërohej me sqarime konkrete, me masat konkrete, me objektivat konkrete, me konkretizimin e objektit të këtij krimi politik dhe ekonomik, atëherë VV+V do kishin ngjitje dhe jo ulje”, ka vlerësuar profesori”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se VV do të jetë parti e parë, me 50 apo më pak deputetë, ndërsa për qeverinë mund të bëjë koalicion me AAK-në, me të cilën ndan koncepte të njëjta sa i përket çështjeve nacionale, por jo edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

“Megjithatë Vetëvendosja mbetet dhe do të jetë parti e parë, dukshëm më mirë sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Nëse i shtohen dhe 4-5 deputetë të Listës Vjosa, kjo parti politike mund të shkojë deri te numri 50 i deputetëve. Por jo më shumë, ndoshta më pak. Në këto kushte Albin Kurtit do t’i duhet të bëjë koalicion edhe me një subjekt tjetër politik. E kam thënë dhe më parë se këtë koalicion e shoh me AAK-në e Ramush Haradinajt, me të cilën Vetëvendosja ndan koncepte të njëjta sa i përket çështjeve nacionale, por jo edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Megjithatë në luftën kundër korrupsionit qeverinë Kurti 2 nuk do ta pengonte aleati i saj AAK, sepse në qeveri vendimet merren me shumicë votash. Qeverisja me AAK-në e zotit Haradinaj ka avantazhet dhe disavantazhet e veta”, ka deklaruar profesori.

Tutje, ai thotë se koalicioni eviton qeverisjen në një dorë të vetme, derisa shton se Kurti do të duhej të tregonte se me kë mund të qeverisë, nëse nuk e fiton shumicën absolute.

“Kryesore është se koalicioni në qeverisje eviton përqendrimin e pushtetit në një dorë të vetme. Ekziston kjo frikë e bazuar te shumë zgjedhës. Edhe partitë e korrupsionit kanë mundur ta rritin këtë lloj fryme. Njerëzit e duan luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e duan ndryshimin, por nuk duan “një mbret” në qeverisje. Në këto ditë që kanë mbetur Albin Kurti duhet të bindë zgjedhësit pikërisht për këtë mosbesim. Të shpallë aleatin e koalicionit dhe qytetarët ta dinë se me kë do të qeverisë zoti Kurti, nëse nuk mund të fitojë shumicën absolute”, është shprehur ai.

Bytyçi vlerëson se koalicioni me AAK-në mund të krijojë sa i përket zgjedhjes së presidentit, sepse këtë post e duan edhe Vjosa Osmani, edhe Ramush Haradinaj.

“Qeverisja me AAK-në krijon gjithashtu edhe një ngërç politik sa i përket zgjedhjes së presidentit, sepse këtë post e duan edhe Vjosa Osmani, edhe Ramush Haradinaj. Nëse Rambo hyn në koalicion, ai do ta pretendojë detyrën e kreut të shtetit si parti me përfaqësim më të madh sesa Lista e Vjosa Osmanit. Dhe më duket se rënia e Vetëvendosjes i shton mundësitë për më shumë vota për AAK-në. Kjo sepse ata që heqin dorë nga vota për VV+V nuk rikthehen te PDK dhe LDK, ata do të përpiqen të jenë pak më neutralë dhe do të shkojnë te modeli I mesëm. Model i mesëm shikohet AAK, për shkak të qëndrimeve të dukshme nacionaliste të saj”, ka potencuar ai.

Sipas tij, posti i presidentit do të jetë fryt i vendeve të QUINT-it, por që përplasja do të jetë e ashpër për këtë post.

“Unë mendoj se posti i presidentit do të jetë fryt i konsensusit të forcave politike me faktorin e jashtëm, përkatësisht vendet e Quintit. Por gjithsesi përplasja për këtë post do të jetë e ashpër. Shpresojmë të mos çojë në zgjedhje të reja”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.