Vjosa Osmani në Ditën e Pavarësisë: Të bëhemi shërbëtorë të Kosovës

LAJME

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e organizuar nga FSK për nder të 13 vjetorit të pavarësisë, ka thënë se ky shtet është bërë nga gjaku i dëshmorëve.

“Të gjithë bashkë jemi gardianë të Republikës së Kosovës. Rruga deri te pavarësia nuk ishte as e lehtë, as e shkurtër. Secili hap që hedhim duhet të jetë në të mirë për atdheun. Nuk ka dashuri më fisnike sesa ajo ndaj atdheut tënd. Duket shikuar mbrapa 13 vjet pas shohim rëndësinë e lirisë sonë dhe mbështetjes nga vendet mike”, është shprehur Osmani.

“U jemi përjetësisht mirënjohjes NATO-s, SHBA-së, BE-se dhe të gjithë botës demokratike nga që pavarësia e vendit as nuk do të mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre. 22 vjet më parë djemtë dhe vajzat tona luftuan për lirinë teksa në 13 vjetorin e pavarësisë kolegët tuaj bëhen pjesë e misionit të parë paqeruajtës”.

Osmani ka thënë se për të arriturat e Kosovës duhet qenë krenarë të gjithë bashkërisht.

“Liria dhe pavarësia e vendit nuk janë aktet e vetme të bërjes së shtetit. Përpara kemi një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën strehë të sigurt për secilin qytetarë tonë. Më duhet ta përsëris këtë 13 vjetor se shteti ynë është i shenjtë. Kosova është e pavarur dhe si e tillë do të mbetet në kufijtë e saj aktual.

Të bëhemi shërbëtorë të Kosovës, fëmijëve tanë dhe rinisë”.