VV-ja do t’i ketë 58 ulëse në Kuvend, PDK-ja 19 e LDK-ja 15

LAJME

Lëvizjes Vetëvendosje i është shtuar edhe një deputet në Kuvend pas numërimit të votave nga diaspora.

VV-ja ka marrë 44.252 vota nga diaspora, apo 78.51 për qind të gjitha këtyre votave.

Në total Vetëvendosje ka marrë 437.741 vota, apo 49.99 për qind, që i bie 58 deputetë me përllogaritjen “Sainte-Lague”.

PDK-ja do të ketë 19 deputetë, me 16.8 për qind të votave, ndërsa LDK-ja do të ketë 15 deputetë me 12.6 për qind. AAK-ja do t’i ketë tetë deputetë në Kuvendin e ardhshëm.

KQZ-ja do t’i shpallë rezultatet të enjten, ndërsa certifikimi i tyre mund të vonojë disa ditë, pasi subjektet politike do ta kenë opsionin për t’u ankuar në PZAP e po ashtu edhe në Gjykatën Supreme.

“78.51% të votave nga mërgata janë për Lëvizjen Vetëvendosje. Në mënyrë plebishitare bashkatdhetarët tanë, me besim e përkushtim, në referendumin e 14 shkurtit janë deklaruar se janë për ndryshime në vend. Falënderime të përzemërta për mërgatën, për të gjithë ata që aplikuan, por nuk mbërritën të regjistrohen, ata që pavarësisht afatit të shkurtër dërguan fletëvotimet, ata që pavarësisht vështirësive na votuan dhe na dhanë mbështetje.

Qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri në ardhje Albin Kurti, do të kujdeset që ata të mos kenë më pengesa në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar. Krejt dhe Drejt, sepse siç e pamë bashkë mund t’i jetësojmë aspiratat tona për një Kosovë më mirë, më të drejtë, e të zhvilluar çfarë e dëshirojmë si qytetarë të kësaj Republike”, ka shkruar Vetëvendosje.