Wesley Clark: Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, është rruga drejt përparimit dhe integrimit për të dyja vendet

LAJME

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark thotë se një njohje e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, është rruga drejt përparimit dhe integrimit dhe se kjo sjell përfitime për të dyja vendet.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Clark thotë se administrata e re e Presidentit Joe Biden, do ta shtojë vëmendjen ndaj Evropës Juglindore dhe Ballkanit.

Gjenerali në pension tha se zhvillimet e fundit politike në Amerikë, tregojnë forcën e demokracisë dhe jo dobësinë e saj.

Gjeneral Clark, në një letër drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vucic, presidenti Joe Biden foli për njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë Presidenti i Serbisë tha se kjo nuk do të ndodhë dhe se qëndrimi i tij për Kosovën nuk ka ndryshuar. A mendoni se një njohje e ndërsjellë do të jetë e mundur gjatë administratës së zotit Biden?

Wesley K. Clark: Mendoj se e ardhmja e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse do të ketë njohje reciproke varet nga udhëheqja në Serbi. Mendoj dhe shpresoj që udhëheqja në Serbi ta kuptojë rëndësinë e e një përafrimi më të madh me Perëndimin, dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo do të thoshte lënia pas e së shkuarës dhe vështrimi nga e ardhmja. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm nga Serbia, ata janë shumë të lidhur me vlerat perëndimore dhe shpresoj që udhëheqja serbe të mund të shohë se është në interesin e saj dhe të ndjejë dëshirën për një lidhje më të fortë me Perëndimin dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës.

Me administratën e re Biden që thotë se normalizimi duhet të ketë njohjen e ndërsjellë, çfarë duhet bërë për të arritur për të bindur Serbinë për një gjë të tillë?

Wesley K. Clark: Gjithmonë pyetja ka qenë nëse Serbia do që të shikojë më shumë nga Perëndimi apo nga Lindja. Kështu ndërsa administrata e zotit Biden rikthen kahjen tradicionale të politikës së jashtme amerikane, ne do të kërkojmë koordinim më të ngushtë afërt me aleatët tanë evropianë. Ne e dimë që BE-ja është e rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në botë dhe aftësinë tonë për të punuar me Kinën. Kështu që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të forcuar Bashkimin Evropian dhe kjo do të thotë se do të jetë gjithnjë e më shumë në interesin e Serbisë që të orientohet drejt perëndimit. Mendoj se kjo është shtysa më e madhe për Serbinë. Ku është përfitimi më i madh për njerëzit e saj? Është e qartë që do të jetë Perëndimi.

Administrata e mëparshme, pavarësisht nga metodat e saj, e solli çështjen e Serbisë dhe Kosovës në qendër të vëmendjes, me takimin e udhëheqësve të dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Çfarë mund të bëjë administrata e re për ta shtuar këtë vëmendje dhe a mund të presim një angazhim më të madh të saj?

Wesley K. Clark: Mendoj se shtysa ekonomike është diçka pozitive dhe e dobishme. Përpjekja tjetër e Shtëpisë së Bardhë (në administratën Trump) ishte për marrëdhënien me Izraelin, gjë që gjithashtu është pozitive. Mendoj se do të shohim një angazhim shumë më të madh nga Shtetet e Bashkuara për të punuar me aleatët dhe miqtë evropianë dhe unë mendoj se do të shohim një përpjekje për të ndihmuar Evropën që të përmirësojë situatën e saj, që të forcojë programet e saj të investimeve dhe stimujt ekonomikë drejt Lindjes. Po të shikojmë historinë e kuptojnë se thelbi i rritjes ekonomike dhe inovacionit është në Perëndim dhe se përfitimet e përafrimit me Perëndimin do të vijnë.

Ju folët për vendimin që duhet të marrë Serbia dhe si duhet të angazhohen Shtetet e Bashkuara dhe të Bashkëpunojnë me BE-në. Një nga pyetjet që ka shtruar Serbia është se çfarë do të japë Kosova, ndërsa asaj (Serbisë) po i kërkohet njohje reciproke. Si do t’i përgjigjeshit një arsyestimi të tillë?

Wesley K. Clark: Mendoj se një njohje e ndërsjellë është në interes të të dy vendeve nga ana kulturore historike, ekonomike, të dyja do të përfitonin nga një gjë e tillë. Kështu që unë nuk mendoj se është çështje ku mund të thuhet “Unë të jap këtë, atëherë çfarë do të më japësh në këmbim?” Mendoj se është përfitim i ndërsjellë për të dy vendet. Armiqësia dhe tensionet nuk janë në interesin e askujt. Pra përfitimi për Serbinë është përafrimi më i madh me Perëndimin. Përfitimi për Serbinë është fundi i uljes së tensioneve me Kosovën. Po ashtu edhe për Kosovën. Kështu që unë mendoj se Serbia përfiton dyfishin sepse Kosova tashmë është në një linjë me Perëndimin. Kështu që unë shpresoj që udhëheqja në Serbi ta shohë këtë ashtu siç është: Një hapje e shkëlqyer nga Shtetet e Bashkuara ndaj Serbisë dhe unë inkurajoj popullin e Serbisë që të shkojnë përpara dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Me gjithë sfidat që përballen Shtetet e Bashkuara, a parashikoni një rritje të angazhimit në Ballkan? Jo sepse nuk ka përparësi më të rëndësishme, por sepse të pakta janë rajonet ku angazhimi sjell më shumë përfitim…